“I’M LU”…KU ARTI NDËRTHURET ME MODËN

“I’M LU”…KU ARTI NDËRTHURET ME MODËN
December 18, 2015 admin
In News

Kur arti bëhet modë dhe moda bëhet art. Kujtime të së kaluarës në risitë e tanishme, çdo krijim i njeriut që përfshin emocionet mund të konsiderohet si një vepër arti. Dhe duket se gjërat e bukura ndonjëherë lindin pikërisht nga mungesa e tyre, kështu i ka ndodhur edhe Loreta Ukshinit, vajzës që qëndron pas dyqanit “I’m LU”. Kur kalon nëpër rrugicën Gustav Mayer, padyshim do tu bie në sy ai dyqan i vogël, në vitrinën e të cili ekspozohen me aq shije çanta. Loreta ka studiuar në Akademinë e Arteve, dega Pikturë, pothuajse e pandarë me artin që e ka dashur që fëmijë, ajo sot drejton pikërisht këtë biznes.

“Në fakt kjo ide ka ardhur shumë spontanisht, nga mungesa e një çante që mund të përmbushte  nevojat e mia, të ishte e veçantë, shumë komode, cilësi e mirë. Zakonisht gjeja çanta që imitonin trendet e mëdha botërore, të cilat nuk më pëlqenin. Kështu vendosa një ditë që a qepja një për vete, fillova të rrëmoja material nëpër shtëpi, që nuk e përdornim apo që kishte një dizajn të veçantë.  Pothuajse viti i parë ka qenë eksperimental, filluam të krijonim aty-këtu çanta, pro si amatorë të themi. Por fantazia gjithmonë më shtynte të bëja diçka ndryshe, më unike. Dhe ja sot ku kemi “I’m LU”. – tregon për Flatrën Loreta. Dhe ky emër që me siguri edhe ju ua gërvisht kureshtjen, ka një histori mbrapa të thjeshtë, pro shumë të këndshme. Një kombinim i inicialeve të Loreta Ukshinit (LU) me partnerin dhe bashkëshortin e saj, Isa Mustafës (I M).  Gjithçka krijohet dhe përfundohet në këtë punëtori të krijuar nga këta të dy. Duke filluar që nga përzgjedhja e materialit, modelit apo dizajnit, qepjes një çantë merr formë dhe përfundon brenda duarve të tyre. “Nuk kam ndonjë frymëzim apo nxitje të jashtme të themi kështu, pra gjithçka që shihni këtu është një shprehje emocionale e imja në momente të caktuara, mund të gjeni çanta me motive popullore apo kombëtare, nga natyra apo art, qoftë edhe koleksioni për beba, për të cilin u frymëzova nga vajza ime, por edhe ninullat apo përrallat e fëmijërisë sime. Në fakt kur filloj të krijoj një çantë e imagjinoj atë si aksesorin kryesor të një veshje dhe i jap përkushtimin tim maksimal, por mbi të gjitha një çantë “I’m LU” duhet të jetë shumë praktike.”

Me të vërtetë kur hyni në “I’m LU” mendoni sikur jeni në një galeri arti, ku çdo vepër nuk është e njëjtë me tjetrën dhe ku imagjinatës i është lënë hapësira e lirë. Madje është kthyer në një oazë dhuratash për të huajt, të cilët preferojnë “I’m LU” për të gjetur dhuratën për të afërmit e tyre jashtë…një kujtim autentik nga Kosova, një çantë, jastëk apo diçka që aty mund ta realizoni sipas dëshirës.

Comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published.